Pesë është numri i viktimave nga aksidenti tragjik që u shënua ditën e sotme te Qafa e Muzinës në aksin Gjirokastër-Sarandë.
Katër pasagjerët dhe shoferi i linjës që ishte brenda ndërruan jetë në vend. Lajmi konfirmohet nga drejtori i zjarrfikëses së Dropullit, Alqi Kosta për Abcnews.al. Ai tha se viktimat janë dy gra dhe tre burra, pra katër pasagjerët dhe shoferi.
Furgoni si pasojë e rënies në greminë është shkatërruar, ndërsa “dy prej viktimave u gjetën të palosur” tha ai.
Në pamjet e siguruara duket momenti kur disa prej qytetarëve kanë ndaluar në rrugë duke shkuar me shpejtësi për t’u dhënë ndihmën e parë personave që ishin në furgon, por fatkeqësisht të gjithë kishin ndërruar jetë.
Por si ndodhi aksidenti?
Policia thotë se ishte ora 15:30 kur në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Muzinë një makinë tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç. u përplas me furgonin me drejtues shtetasin B. P.
Si pasojë e përplasjes furgoni doli nga rruga duke përfunduar disa metra poshtë rrugës. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
/ Abcnews.al