Presidenti francez, Macron e cilësoi si të papranueshme dhunën e manifestuesve në protestën kundër rritjes së çmimit të karburantit. Ai vizitoi Harkun e Triumfit në Paris, që u dëmtua gjatë trazirave të së shtunës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, që u kthye nga G20-a në Buenos Aires, menjëherë shkoi tek Harku I Triumfit në Paris, që u dëmtua pas përplasjeve të dhunshme të së shtunës. Ai donte të shihte me sytë e tij se si kryeqytetit francez iu vu zjarri pas protestave të “Jelekëve të verdhë”. Presidenti mblodhi një takim urgjent në pallatin “Champs Elysees”. Ajo që shqetëson ekzekutivin është përshkallëzimi i protestës: incidentet e së shtunës ishin shumë më të dhunshme sesa ato të javës së mëparshme. Zëdhënësi ekzekutiv, Benjamin Griveau, nuk përjashton – për të shmangur revoltat e reja – vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Kjo mundësi merret në konsideratë edhe nga ministri i brendshëm, Christophe Castaner: “Sa i përket çdo gjëje që na garanton më shumë, nuk kam tabu. Unë jam i gatshëm të vlerësoj çdo gjë”. Më pas ai njoftoi se me sekretarin e shtetit Laurent Nunez, do të raportojë të martën në Senat për dhunën.
Me 412 arrestime dhe 133 të plagosur (duke përfshirë 23 agjentë), e shtuna ishte një “ditë e zezë që do të mbetet “në historinë” e kryeqytetit francez: sipas fjalëve të nënkryetarit të bashkisë së Parisit, ky ishte imazhi i një dite në të cilën qyteti u rrëmbye nga protestat e dhunshme të “jelekëve të verdhë”. Mëngjesin e së dielës, bashkia e Parisit mblodhi ekipin për të llogaritur dëmet. Përveç dyqaneve, lokaleve, bizneseve të ndryshme dhe automjeteve të djegura, edhe Harku I Triumfit është dëmtuar nga manifestuesit e dhunshëm.
Ndërkohë, kjo ishte fundjava e tretë radhazi që “jelekët e verdhë”, një lëvizje e lindur në rrjetet sociale, manifeston në të gjithë Francën për të kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit dhe kundër kostos së lartë të jetesës. /abcnews.al