I vuri pistoletën në kokë, Abcnews.al publikon videon e re të sherrit të biznesmenëve në Korçë

schedule17:49 - 24 Gusht, 2021

schedule 17:49 - 24 Gusht, 2021

Abcnews.al ka siguruar një tjetër video nga konflikti i djeshëm mes pronarëve të dy bizneseve në malin e Moravës në Korçë, që përfundoi me një të plagosur me thikë dhe dy të arrestuar. Në videon e publikuar nga Abcnews.al kamerat e sigurisë së hotelit kanë fiksuar ngjarjen nga një tjetër kënd, ku 33-vjeçari E. Misha kërcënon me armë, duke i vendosur pistoletën në kokë 26-vjeçarit Anri Reli.

Për të ulur tensionin ndërhyjnë rojet e hotelit, por situata agravoi dhe Reli qëlloi me thikë, sipas policisë, duke plagosur babanë e 33-vjeçarit, Sotiraq Misha, i cili ndodhet në spital i plagosur.

Policia e Korçës në njoftimin e shpërndarë dje për mediat lidhur me ngjarjen nuk e përfshinte 33-vjeçarin që kërcënoi me armë djalin e Arben Relit, por dalja e pamjeve të kamerave të sigurisë së hotelit e detyruar që sot të arrestonte Mishën.

Nga deklarimet e marra dhe nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se, shtetasi E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta me Anri Relin 26 vjeç, banues në Tiranë, e ka kanosur këtë të fundit me një send, në dukje si armë zjarri tip pistoletë.

Anri Reli më pas ka plagosur me sende të mprehta e të forta, babain e 33-vjeçarit, shtetasin Sotiraq Misha i cili ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë këtij konflikti ka marrë dëmtime të lehta edhe shtetasi E. M., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën” thotë policia.

Mes dy pronarëve që i kanë hotelet ngjitur në malin e Moravës ka pasur konflikte të vazhdueshme për burimin nga i cili furnizohen me ujë, ndërsa dje sherri u agravua për shkak të përplasjeve për parkingun./ db/Abcnews.al