Pamje e arrestimit të Dardan Krivaqes, akuzohet për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj

schedule13:35 - 24 Gusht, 2021

schedule 13:35 - 24 Gusht, 2021

Dardan Krivaqa, i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj është arrestuar në një fshat në afërsi të Ferizajt. RTV Dukagjini ka publikuar pamje nga momenti kur Krivaqa është dërguar në stacionin policor në Ferizaj pas arrestimit.

Ndryshe, Major Mehmetali Hajdini ka bërë të ditur se Krivaqa është arrestuar në një fshat në Ferizaj.


Arrestimin e Dardan Krivaqës e konfirmoi edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, , njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj,  sot rreth orës 12 e 05 minuta, është arrestuari edhe personi i dytë i dyshuar (D,) në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se një 18 vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Ferizaj pasditen e së dielës. Viktima ishte dërguar aty nga dy persona, të cilët më pastaj kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Mbrëmjen e së dielës njëri nga të dyshuarit ishte arrestuar, ndërkaq deri sot i kërkuar ishte Dardan Krivaqa i cili u arrestua tashmë.

Po ashtu Policia e Kosovës kanë gjetur edhe vendin e krimit, që sipas policisë është kryer në një objekt banesorë të një rruge në Ferizaj, si dhe kanë identifikuar dy të dyshuarit e kësaj ngjarje.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka bërë të ditura detaje në lidhje me vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, teksa ka njoftuar se të dyshuarit tjetër Arbër Sejdiu, i cili e dërgoi bashkë me Dardan Krivaqën, tashmë të ndjerën në Emergjencën e Ferizajt, i është caktuar masa e paraburgimit.

Gjykata ka bërë të ditur se “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta-gjelozie, për shkak se i pandehuri D dyshonte se e ndjera M.O. e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit D., për këtë arsye i pandehuri D, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë”.

Tutje, sqarohet në komunikatë se gjatë gjithë kohës, “i pandehuri A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”. /RTV Dukagjini