Gati masat në Greqi, jeta “ferr” për të pavaksinuarit nga koronavirusi

schedule10:52 - 24 Gusht, 2021

schedule 10:52 - 24 Gusht, 2021

Rritja e rasteve kryesisht për shkak të variantit Delta, ka shqetësuar botën por më shumë vendet në të cilat normat e vaksinimit janë të ulëta. Ndërkohë që shumica e vendeve lehtësuan masat gjatë 3 muajve të verës në një përpjekje për të shpëtuar turizmin e goditur nga pandemia, rikthimi i masave nuk është larg, shkruan protothema.

Shumë vende nga Amerika, Azia dhe Europa pritet të shtrëngojnë masat duke rikthyer detyrimin për mbajtjen e maskave apo edhe ashpërsimin e masave për personat të cilët nuk janë vaksinuar.

Varianti Delta është përhapur në më shumë se 140 vende në botë,  dhe sipas shkencëtarëve pandemia nuk do të përfundojë së shpejti- duke pasur parasysh që vetëm një pjesë e vogël e popullsisë botërore është vaksinuar kundër Covid-19.

Sipas të dhënave deri më tani, vetëm 15% e popullsisë në botë është vaksinuar dhe më shumë se 100 vende kanë vaksinuar më pak se 5% të popullsisë. Greqia një nga vendet  që ka shënuar rritje të rasteve për shkak të variantit Delta sidomos gjatë javëve të fundit, pritet të ashpërsojë masat në një përpjekje për të mbajtur në kontroll valën e re.

Ministri i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias,  tha se personat të cilët janë vaksinuar do të kenë më shumë përfitime. Ata mund të shkojnë në restorante, por sigurisht do të duhet të tregojnë një certifikatë vaksinimi.

Por personat e pavaksinuar të cilët duan të marrin pjesë në evente kulturore të ndryshme duhet të kenë një test molekular jo më të vjetër se 48 orë.

Masat e reja që do të hyjnë në fuqi me 1 shtator:

– Përdorimi i detyrueshëm i maskave në ambientet e mbyllura për të gjithë qytetarët (të vaksinuar dhe të pavaksinuar), ndërsa në ambiente e jashtme përdorimi ose jo i maskës do të përcaktohet në varësi të numrit të personave.

– Test i detyrueshëm një herë në javë për të gjithë qytetarët e pavaksinuar që janë të  punësuar në sektorin privat dhe publik. Sidoqoftë, dy teste / javë do të kërkohen për personat që punojnë  në hotelieri dhe arsim.

– Personat që do të shkojnë në teatro apo kinema  duhet të kenë një test negativ

– Në bare, restorante dhe klube nate do të lejohet hyrja vetëm për personat të cilët kanë një certifikatë vaksinimi ose test negativ

– Ndërsa në eventet sportive dhe stadiume, hyrja do të jetë falas për të vaksinuarit , ndërsa të pavaksinuarit duhet të paraqesin një test negativ./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!