Festa me muzikë u ndërpre nga plumbat e kallashit, si u vra biznesmeni në lokalin e tij, blindohet Lushnja

schedule23:38 - 23 Gusht, 2021

schedule 23:38 - 23 Gusht, 2021

Rreth orës 19:30 në “Bar Pedonale” në qendër të Lushnjes luhej muzikë shqip ndërsa vetë pronari i saj Bledar Muça po konsumonte kafe me miqtë e tij. Rreth tre orë  më vonë “festa” është ndërprerë nga plumbat e kallashit të cilat kanë pasur si shënjestër pikërisht Muçën.

Sipas bluve si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur pesë persona, mes tyre dhe një vajzë si dhe një grua 66-vjeçare. Konkretisht të plagosurit janë Judin Velo, Ervis Tafa, Sara Liçi, E. S., 26 vjeç dhe M. Gj., 66 vjeçe. Ata janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në  momentin e të shtënave në lokal ka pasur shumë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët janë shtrirë përtokë për t’u shpëtuar plumbave.

Burime bëjnë me dije për ABC se atentatorët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Golf 5 në ngjyrë të zi dhe kanë qëlluar në drejtim të lokalit për t’u larguar më pas në drejtim të paditur.

Për të bërë të mundur kapjen e tyre policia ka ngritur disa pika kontrolli në pikat hyrëse të qytetit duke kontrolluar çdo automjet. Pak momente pas ngjarjes në fshatin Thanasaj të Lushnjes është gjetur një automjet i djegur i cili dyshohet se u përket autorëve.

Një burim i tha Abcnews.al se Muça nuk njihet si tip problematik në Lushnje. Ai ishte i martuar me mbesën e Roland Shytit, personazh i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” i njohur me nofkën “Mustaqekuqi”. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!