Trump anulon takimin me Putin

schedule19:42 - 29 Nëntor, 2018

schedule 19:42 - 29 Nëntor, 2018

Tensionet mes Moskës dhe Kievit pas sekuestrimit të anijeve ukrainase në Krime kanë detyruar presidentin Donald Trump të anulojë takimin me presidentin rus Putin. Në profilin e tij në Twitter, Trump ka deklaruar se përpara një agresioni të tillë nuk mund të ketë vend për bisedime.

Presidenti Donald Trump ka anuluar papritur takimin me homologun rus Vladimir Putin, i planifikuar këtë javë gjatë samitit të grupimit G20, që mbahet në Buenos Aires të Argjentinës. Sipas mediave amerikane, shkak për këtë vendim të Trump është bërë kriza aktuale mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Nisur nga fakti se anijet dhe marinarët ukrainas nuk janë liruar nga Rusia mendoj se do të ishte më mirë për të gjitha palët e përfshira që ta anuloj takimin e planifikuar me presidentin Putin në Argjentinë”, ka deklaruar Trump në profilin e tij në Twitter.

Megjithatë, presidenti amerikan është shprehur i gatshëm për një takim të ardhshëm, kur rrethanat të jenë më të dobishme. Postimi i Trump në rrjetet sociale përbën një lëvizje 360 gradë, pasi vetëm një orë më parë ai u kishte thënë gazetarëve se do të takohej me Putin, pasi ishte momenti më optimal për një takim.
Gjatë fluturimit për në Argjentinë, shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se do të njihet së shpejti me një raport të detajuar mbi tensionet mes Kievit dhe Moskës, pas sekuestrimit të anijeve ukrainase nga Rusia në ujërat e Krimesë. Dallimet mbi krizën në Ukrainë, si dhe ndërhyrja e Kremlinit në luftën në Siri kanë acaruar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, pavarësisht vullnetit të shprehur nga dy presidentët për përmirësimin e tyre.

Administrata e ish-presidentit Barak Obama vendosi sanksione ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë nga Ukraina në vitin 2014. Kjo lëvizje u bë shkas që marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës të bien në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!