Thaçi pas takimeve në SHBA: Marrëveshja me Serbinë, më afër se kurrë

schedule22:15 - 28 Nëntor, 2018

schedule 22:15 - 28 Nëntor, 2018

Përcaktimi i kufirit dypalësh është çelësi për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi, pas takimeve të zhvilluara në Uashington është shprehur se nuk ka më kohë për të humbur.

Nga Uashingtoni, ku u takua me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se momenti i duhur që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një marrëveshje dypalëshe ka ardhur. Duke komentuar takimet e zhvilluara me sekretarin e Shtetit Majk Pompeo dhe këshilltarin e presidentit Trump për sigurinë kombëtare Majkëll Bolton, Thaçi ka nënvizuar se mbështetja e faktorit ndërkombëtar është më e fortë se kurrë.

Thaçi:Kjo mundësi është reale, nuk duhet ta humbim sepse është e jashtëzakonshme, e konfirmuar dhe mbështetur fuqishëm nga SHBA për konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë”.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka nënvizuar se çelësi për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që të garantojë njohjen reciproke, zëvendësimin e rezolutës 12-44 dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB është përcaktimi i kufijve dypalësh.

Thaçi: “Por një gjë duhet ta kemi të qartë se pa përcaktim të kufijve nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare, paqësore që garanton njohjen reciproke”.

Duke shmangur termin e “korrigjimit të kufijve” të përdorur më parë, Thaçi ka saktësuar se nuk do të ketë kufij në baza etnike, por do të ruhet karakteri multietnik i Kosovës.

Thaçi: “Ky është një moment për të mos u humbur, pasi në rast dështimi shkojnë dëm dekada të tëra dhe çmimin do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme”.

I pyetur mbi atë se cfarë do të lëshojë Kosova për të siguruar njohjen nga Serbia, presidenti Thaçi nuk ka dhënë një përgjigje konkrete, por është shprehur se Beogradi mund të përfitojë një përshpejtim të procesit të integrimit europian. Sa i takon situatës së krijuar pas vendoses së tarifave për produktet serbe, ai ka shtuar se ajo do të zgjidhet përmes dialogut me Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!