Një studente afgane ka rrëfyer për mediat ndërkombëtare ditët e tmerrit që po përjeton në Kabul pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit. Ajo ka treguar si ndryshoi jeta e saj brenda pak orëve dhe mizoria që e pret tashmë.
“Të dielën herët në mëngjes isha duke shkuar në universitet për në klasë kur një grup vajzash ikën nga konvikti. I pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe njëra prej tyre më tha se policia i kishte përzënë sepse talebanët kishin mbërritur në Kabul dhe do të godisnin sa më shumë gra që nuk mbanin burka.
Të gjithë donim të shkonim në shtëpi, por nuk mund të përdornim transportin publik. Shoferët nuk na lanë të hipim në makinat e tyre sepse nuk donin të merrnin përgjegjësinë për transportin e një gruaje.
Ndërkohë, burrat që qëndronin rreth nesh qeshnin dhe bënin shaka me frikën tonë. “Shkoni dhe vishni burkën “bërtiti njëri”. “Këto janë ditët tuaja të fundit në rrugë” tha një tjetër. “Unë do të martohem me katër prej jush brenda një dite” tha një tjetër.
Ndërsa zyrat qeveritare filluan të mbyllen, motra ime vrapoi disa kilometra për t’u kthyer në shtëpi. Fika kompjuterin, dola nga zyra në lot dhe u thashë lamtumirë kolegëve të mi. E dija që ishte dita e fundit e punës sime. Unë duhet të isha diplomuar në Nëntor nga Universiteti Amerikan i Afganistanit dhe Universiteti i Kabulit, por këtë mëngjes gjithçka ndryshoi para syve të mi.
Kam punuar shumë ditë e net për të qenë kjo që jam sot, dhe këtë mëngjes kur u ktheva në shtëpi, gjëja e parë që unë dhe motrat e mia bëmë ishte fshehja e ID-ve, diplomave dhe certifikatave tona. Ishte katastrofike. Pse të fshehim gjërat për të cilat duhet të jemi krenarë? Në Afganistan tani nuk na lejohet të njihemi ashtu siç jemi.
Si grua, ndjehem sikur jam viktimë e kësaj lufte politike të filluar nga burrat. Ndjeva se nuk mund të qeshja më me zë të lartë, nuk mund të dëgjoja më këngët e mia të preferuara, nuk mund të takoja më miqtë e mi në kafenenë tonë të preferuar, nuk mund të vishja më fustanin tim të preferuar të verdhë apo buzëkuqin rozë. Dhe nuk mund të shkoj më në punë ose të marr një diplomë universitare.
Më pëlqente të rregulloja thonjtë. Sot, teksa po shkoja në shtëpi, hodha një vështrim në sallonin e bukurisë ku po shkoja për një manikyr. Pjesa e përparme e dyqanit, e zbukuruar me fotografi të bukura të vajzave, ishte zbrazur.
Gjithçka që mund të shihja rreth meje ishin fytyrat e frikësuara të grave dhe fytyrat e shëmtuara të burrave që i urrejnë gratë, të cilëve nuk u pëlqen të arsimohen, të punojnë dhe të kenë liri. Në vend që të qëndrojnë pranë nesh, ata qëndrojnë pranë talebanëve dhe u japin atyre edhe më shumë fuqi.
Afganët sakrifikuan veten për lirinë që kishin. Si jetime thurja qilima për të qenë në gjendje të studioja. Unë u përballa me shumë sfida financiare, por kisha shumë plane për të ardhmen time. Nuk e prisja që gjithçka të përfundonte kështu.
Tani duket se duhet të djeg gjithçka që kam arritur në 24 vitet e jetës sime. Posedimi i çdo identiteti ose çmimi nga Universiteti Amerikan është i rrezikshëm tani. Edhe nëse i mbajmë, nuk jemi në gjendje t’i përdorim. Nuk ka punë për ne në Afganistan” mbyllet rrëfimi i saj./ db/Abcnews.al