Lleshaj flet për profesionalizmin dhe integritetin e punonjësit të policisë

schedule15:34 - 27 Nëntor, 2018

schedule 15:34 - 27 Nëntor, 2018

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nderoi kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve të policisë, gjatë një ceremonie të mbajtur para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës. Ministri tha se kjo tregon respekt per detyren e uniformave blu.

Gjatë ceremonisë të mbajtur para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përshëndeti trupat e policise. Ai tregoi pse pranoi detyrën e ministrit të Brendshëm. Lleshaj u shpreh se nderimi i punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, është një detyrim i përhershëm për këdo.

Sander Lleshaj, ministër i Brendshëm: “Dëshiroj të shpreh bindjen time se nderimi ndaj heronjve të Policisë shqiptare është mënyra më e përshtatshme për të vlerësuar dhe nderuar edhe angazhimin dhe kontributin e gjithë punonjësve të saj, që me përgjegjësi dhe përkushtim, ofrojnë përditë e përnatë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike për qytetarët e vendit tonë.

Policia e Shtetit- theksoi ministri Lleshaj- gjatë 3 dekadave të fundit ka mbajtur barrë të jashtëzakonshme dhe ka paguar një çmim shumë të rëndë, përballë të cilit çdo shqiptar duhet të tregojë respekt të lartë.

“Profesioni i policit është i bazuar tek nderi, sensi i detyrës dhe integriteti. Një sens i fortë dhe i qartë për nderin personal dhe nderin profesional për punonjësin e policisë janë pjesë thelbësore e identitetit, pjesë e ADN-së së tij. Vetëm këtë mesazh dua të theksoj sot gjatë kësaj ceremonie. Për programin tim, do të kemi kohë që të diskutojmë së shpejti”.

Në ceremoni ishin të pranishëm zyrtarë te lartë të Ministrisë dhe Drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!