Prokurori kalon Vettingun, por i mbeten “hesape” hapur

schedule16:51 - 27 Nëntor, 2018

schedule 16:51 - 27 Nëntor, 2018

Besnik Cani, prokurori i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme kaloi me sukses procesin e Vettingut. Ndryshe nga çdo herë tjetër e një vendimi pozitiv, KPK adresonte për hetim disiplinor problematika të konstatuara gjatë procesit të Vettingut për Canin.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokurorin e Elbasanit, Besnik Cani. Aktualisht Cani është i komanduar në Prokurorine e Përgjithshme, ku është edhe këshilltari kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Ndryshe nga çdo gjyqtar apo prokuror i konfirmuar deri më tani, në vendimin përfundimtar KPK përcjell për inspektim disa prej gjetjeve të konstatuara për Canin. Komisioni i kërkon organit kompeten të verifikojë katër çështje për shkaqe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore prej prokurorit.

Në filtrat e inspektimit duhet të kalojë kontrata mes Canit dhe një shoqërie private, e cila ka ndërtuar një karburant, një bar-kafe dhe një lavazh mbi një truall në pronësi të tij. Sipas kontratës, prokurori përfitonte 5 lekë për çdo litër karburant të shitur dhe pas 25 vitesh përfitonte gjithë investimin. Tjetër rast për inspektim sipas KPK-së është praktika e Bashkisë Fier, se si familja e prokurorit ka përfituar statusin e familjes së pastrehë, me qëllim përfitimin e një kredie të butë. Njëkohësisht KPK urdhëron kalimin në lupë të dy procedime penale të ndjekura prej Canit në vitin 2006 në Prokurorinë e Tiranës dhe në vitin 2015 në Prokurorinë e Elbasanit për të konstatuar nëse ka shkelje disiplinore.

Besnik Cani ishte i fundit prokuror i listës 33 anëtarëshe të gjyqtarëve e prokurorëve të vetuar me përparësi për shkak të kandidimit për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në seancën dëgjimore të zhvilluar në 23 nëntor, KPK konstatoi si problematike kontratën e tij të veçantë me shoqërinë tregtare të karburantit, si edhe përfitimin e statusit të familjes së pastrehë nga Bashkia e Fierit, ndonëse nuk kishte përfituar kredi të butë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!