Ish-kirurgjia në QSUT pritet që të kthehet sërish në spital Covid. Gazetarja e ABC, Ema Shazivari mëson se është dhënë urdhër që në këtë spital, të mos shtrohen më pacientë pasi mendohet që të rikthehet në shërbim të pacientëve me koronavirus.
Deri më tani, tek ish-kirurgjia kanë qenë duke marrë kujdes shëndetësor pacientët e Infektivit.
Kujtojmë se me konfirmimin e variantit Delta është vënë re një rritje e konsiderueshme e numrit të të infektuarve në vend. Në përditësimin e datës 11 gusht, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se nga 4,201 testime të kryera, kishin rezultuar pozitivë me koronavirus 284 qytetarë.
Sa i përket situatës në spitalin Covid-1, deri dje, kujdes shëndetësor po merrnin 34 pacientë ndërsa humbje jete nuk pati. Në një intervistë të dhënë për ABC më herët gjatë kësaj jave, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u shpreh se pjesa më e madhe e pacientëve tek Infektivi kishin variantin Delta të koronavirusit.
Pipero u bëri thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë pasi ky mutacion i virusit sjell një klinikë të ndryshme nga ajo e zakonshmja.
Pacientët me Delta kanë kryesisht një prekje më të gjerë të mushkërisë ndërsa kolla dhë vështirësitë në frymëmarrje mungojnë, duke bërë që të sëmurët të mos e kuptojnë në kohë që mund të jenë të infektuar. s.b/abcnews.al/