Në Bruksel është zhvilluar një ceremoni e veçantë me rastin e festës së pavarësisë. Në fokus të kësaj ceremonie për të çuar ngjyrat kuq e zi në zemër të kryeqytetit europian është vënë figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Skënderbeu ka ardhur në Bruksel mbi kalë dhe me flamurin kuq e zi në dorë. Përballë simbolit futurist dhe universalist të Brukselit, Atomiumit, Skënderbeu i rikujton Europës në kryeqytetin e saj, se shqiptarët kanë mbrojtur vlerat dhe identitetin europian të bashkuar. Ky është inskenimi që shqiptarët e Belgjikës kanë përjetuar këtë vit për festën e pavarësisë, falë grupit dhe shkollës “Vatra” me mbështetjen e deputetit shiptarë të Parlamentit të Brukselit, Ahmet Gjanaj.
Ahmet Gjanaj, deputet shqiptar i Brukselit: “Për 550 vjetorin e lindjes së Skënderbeut; ne kemi imagjinuar me shoqatën tonë, grupit të valleve dhe shkollës “Vatra” të inskenojmë ardhjen e Skënderbeut në Bruksel këtu në Atomium, ku kemi ngritur gjithashtu edhe flamurin shqiptar. Është një moment i veçantë për komunitetin shqiptar në Belgjikë. Por edhe shpresë, pasi siç ka thënë Skënderbeu dhe kjo është edhe moto e Belgjikës: “Bashkimi bën fuqinë”. Pra, po të jemi të bashkuar, mund të bëjmë gjëra të mira “
Kryebashkiaku i Brukselit, shpreson që Brukseli të bëhet edhe kryeqyteti i shqiptarëve, kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Një Shqipëri, që në rrugën e saj të bashkimit me familjen europiane tregon me krenari vlerat e etnografisë, folklorit, muzikës dhe kulturës së saj përmes fëmijëve të grupit “Vatra”.
Philippe Close, kryetar i Bashkisë së Brukselit: “Sot në Bruksel të gjithë kanë kryeqytetin e tyre, por kanë gjithashtu Brukselin si kryeqytet i Europës. Shpresoj që brenda disa vitesh, shqiptarët do të mund të thonë që Brukseli është edhe kryeqyteti i tyre, pasi atëherë Shqipëria do të jetë bërë pjesë e Bashkimit Europian. Ne duhet të punojmë për këtë”.
Në aktivitet kanë marrë pjesë edhe ambasadorja e Shqipërisë pranë BE-së dhe Beneluksit, Suela Janina dhe ai i Kosovës, Bernard Nikaj, së bashku me qindra shqiptarë të Belgjikës./abcnews.al