Ligue 1 është kampionati i parë elitar në Europë që ka nisur sezonin e ri. PSG është padyshim favoriti kryesor për të dominuar futbollin francez, por nuk përjashtohen as surprizat, siç ndodhi sezonin e kaluar kur Lille fitoi kampionatin.
Qeveria franceze lejon numrin më të pakët të tifozëve në stadiume. Vetëm 500 persona mund të ndjekin nga afër skuadrën e zemrës, por kapaciteti pritet të rritet me kalimin e kohës.
Pas një jave do të nisin edhe tre kampionate të tjera: Premier League, Bundesliga dhe LaLiga, që do të hapin siparin e sezoneve të reja duke nisur që nga e premtja e 13 gushtit. Me stadiumet me kapacitet të plotë, ekipet angleze do të luftojnë për trofeun më të rëndësishëm në ishull.
Federata Angleze e Futbollit ka bërë të detyrueshëm vaksinimin e tifozëve, ndërsa lojtarët dhe stafi teknik duhet të mbyllin vaksinimin deri më 1 tetor, ndryshe nuk mund të luajnë.
Sezoni i ri i LaLiga do të fillojë me sfidën e 13 gushtit mes Valencias dhe Getafes, që do të luhet në “Mestalla”. Ministria e Shëndetësisë në Spanjë, ka vendosur që impiantet sportive të mbushen në masën 40% të kapacitetit.
Masat kundër COVID-19 nuk do të mungojnë, pasi tifozëve do u duhet të mbajnë maska në stadium, ndërkohë që klubet do të jenë të detyruara të mos shërbejnë ushqim gjatë ndeshjeve.
Fundjavën e 21 dhe 22 gushtit dhe do të nisë edhe Seria A. Në itali, stadiumet do të jenë të mbushura deri në 50% të kapacitetit dhe për tifozët do të jetë kusht kryesorë prania e kartës së gjelbër të vaksinimit.
FIGC ka lajmëruar të gjithë tifozët që nuk kanë marrë asnjë doze vaksine, që të shpejtojnë ta kryejnë si procedure nëse duan të ndjekin ekipin e tyre në stadium në sezonin e ri. /abcnews.al