Rudi Vata ka zbërthyer Laçin, në një intervistë të dhënë në Belgjikë, në prag të duelit që kurbinasit luajnë ndaj Anderlecht në turin e tretë të Conference League.
Ish-kapiteni i kombëtares, i cili ka drejtuar në Superiore si trajner Vllazninë, mes të tjerash ka deklaruar: “Laçi nuk ka një emër të madh në ekip, por kanë qenë pjesë e skenës së futbollit shqiptar për 20 vite. Bëhet fjalë për një klub pa shumë mjete financiare, por që menaxhohet mirë nga presidenti”.
“Ekipet kryesore të kampionatit shqiptar vështirë se do të ishin në pjesë e poshtë të kampionatit belg. Laçi nuk duhet të jetë problem për Anderlecht, por duhet ta marrë parasysh faktin që ata nuk kanë asgjë për të humbur në këtë ndeshje.
Mentor Mazrekaj është mjeshtri i tyre dhe mund të krijojë situata të rrezikshme”, ka thënë Vata mes të tjerash, sikurse shkruan “Anderlecht Online”. Sa i takon Mazrekajt, ai nuk do të jetë i gatshëm për duelin e nesërm, pasi ka pësuar një dëmtim. /abcnews.al