Rrëmbehet një anije në Gjirin e Omanit

schedule09:40 - 4 Gusht, 2021

schedule 09:40 - 4 Gusht, 2021

Persona të armatosur kanë rrëmbyer një anije me flamur të Panamasë në Gjirin e Omanit dhe është urdhëruar që të lundrojë drejt Iranit, konfirmoi organizata “Lloyd List Maritime Intelligence”.

Mediat e huaja bëjnë me dije se anija “MV Asphalt Princess” është duke lundruar drejt Ngushticës së Hormuzit, thuhet në njoftim. Nuk është e qartë se kush e rrëmbeu anijen, por analistët thonë se të dyshuara do të jenë forcat iraniane.

Sidoqoftë, Rojat Revolucionare të Iranit i mohuan këto raportime, duke i cilësuar ato si pretekst për veprime armiqësore kundër Teheranit.

Incidenti vjen më pak se një javë pasi një anije për transportimin e karburanteve, e menaxhuar nga një kompani izraelite, u sulmua nga një dron afër brigjeve të Omanit, duke lënë të vdekur dy roja – një britanik dhe një rumun./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!