Pamjet nga sateliti tregojnë shkatërrimin nga zjarret në Turqi, kritike situata edhe në Greqi

schedule22:11 - 2 Gusht, 2021

schedule 22:11 - 2 Gusht, 2021

Pamjet e shkrepura nga sateliti tregojnë shkallën e shkatërrimit që kanë lënë pas zjarret në Turqi. Që nga hapësira, në hartën e vendit mund të shihet një njollë gjigante që shtrihet për 16 km në jug të vendit.

Për imazhet, të marra nga Copernicus Sentinel-2, i Bashkimit Evropian, u përdorën breza infra të kuqe për të shfaqur vendet ku janë përhapur  vatrat në jug të vendit. Zjarret vijojnë në ditën e tyre të gjashtë në Turqi ndërsa deri më tani, të paktën tetë persona e kanë humbur jetën.

Me mijëra banorë janë detyruar që të largohen nga shtëpitë.

Kritike situata është edhe në Greqi ku më shumë se 10 vetë kanë mbetur të plagosur.  Zjarret në rajonin e Peloponezit dhe në ishullin Rodos, të dy në jug të vendit,  kanë shkatërruar shtëpitë dhe kanë detyruar vendasit të evakuohen.

Temperaturat e larta, të cilat pritet të rriten edhe më shumë këtë javë, i kanë tharë pyjet duke i bërë më të rrezikuara nga zjarret. Erërat e nxehta i kanë përhapur flakët edhe në zona të banuara.

kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është shprehur se vendi i tij po përballet me valën më të rrezikshme të nxehtësisë që nga viti 1987. Shërbimi zjarrfikës i Italisë po luftonte gjithashtu me flakët të hënën në qytetin jugor të Gravina në Pulia dhe San Giacomo degli Schiavoni, më tej në veri, pas zjarreve në Sicili dhe Pescara në fundjavë.

Paralajmërimet u lëshuan gjithashtu në Francën jugore, ku meteorologët paralajmëruan për një “rrezik shumë të rëndë” të zjarreve falë kombinimit të motit të thatë dhe me erë. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!