Beogradi zyrtar e quan të pakonceptueshem nivelin e taksës së vendosur nga Kosova për mallrat serbe. Presidenti Vuçiç e cilësoi një vendim të shekullit të 17 dhe tha se në këto kushte dialogu në Bruksel nuk mund të vazhdojë.
Serbia e quan hakmarrje dhe jo arsye ekonomike vendimin e qeverisë së Kosovës, një vendim që nuk do të merrej as në rrethana lufte. Kështu kanë vlerësuar disa prej mediave serbe.
Prersidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka qenë duke promovuar fillimin e punës në një fabrikë kur ka dëgjuar mundësinë e rritjes së taksës fillestare prej 10 për qind. Dialogu nuk mund të vazhdojë as në Bruksel në këto rrethana.
Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Po të më thoshte dikush se kjo do të ndodh unë do ti thosha nuk ka mundësi pasi kjo nuk ka të bëj as me shekullin e shkuar, por është vendim i shekullit të 17-të dhe nuk është e mundur. Ne duhet të jemi të gatshëm për këtë”.
Si për ironi shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Serbisë po shënonte rritje prej 9 për qind këtë vit. Serbia në Kosovë ka eksportuar 440 milionë euro mallra deri në fund të shtatorit. Kosova vetëm 21 milionë.
Ministri i dikasterit e quan vendimin si hakmarrje për politikën dhe rastin e Interpolit.
Rasim Lajiç, ministër i tregtisë, turizmit dhe telekomunikacionit, Serbi: “Kjo nënkupton ndalim të plotë të mallrave serbe pasi askush nuk mund ta ndaloj dhe kështu duhet ta quajm. Është kundër tregtisë së lirë dhe kërkojmë reagim ndërkombëtar”.
Serbia ende nuk ka paralajmëruar masa kundër prodhimeve të Kosovës. Por, presidenti serb ka ftuar disa ambasador të BE-së, Kinës e Rusisë në takime dhe do të ketë takim të Këshillit për Siguri. Shtypi serb e vlerëson këtë si aktin më të rëndë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. /abcnews.al