Teuta avancoi në turin e tretë të Conference League duke mundur 3-0 Inter Escaldes. Sebino Plaku ishte i jashtëzakonshëm në Andorra duke realizuar dy gola dhe e dërgoi ndeshjen në shtesë, ku Kallaku me 11-m vulosi kualifikimin.
Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit kampion, Sebino Plaku foli për sekretin e kualifikimit dhe atmosferën në dhomat e zhveshjes.
SHIJA E FITORES – Ndjesi fantastike, pasi kemi kaluar dy ekstreme të kundërta ndjesish. Mbas titullit kampion u hap rruga e Europës, ishim në qiellin e shtatë dhe vijnë këto ndeshje që na kthejnë gjithë entuziazmin mbrapsht.
Të them të drejtën i kam kaluar këto momente dhe kam kuptuar që futbolli është i tillë: të ngre në qiell dhe të ul në tokë. Duhet të jesh gjithmonë i kujdesshëm dhe i “përulur” karshi tij, t’i bësh detyrat e tua dhe të presësh momentin tënd.
SEKRETI I TRIUMFIT – Në Andorra ishte gjithçka ndryshe nga ndeshja e parë duke filluar që nga lojtarët të cilët luanin në formacion, për të vazhduar me entuziazmin dhe besimin që do e kthenim këtë rezultat. Gjithashtu iu vu rëndësia që duhej kësaj ndeshjeje e këtij ekipi dhe shumë të tjera që s’mundem t’i them për efekt kohe.
DEDIKIMI – Golat ua dedikoj shokëve të ekipit, pasi janë ata që më kanë mbështetur në çdo moment dhe kanë besuar tek unë gjithmonë.
SHAMROCK ROVERS – Sot është momenti të festojmë këtë sukses të jashtëzakonshëm. Më pas do të mendojmë për Rovers, por synimi ynë është të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion. /abcnews.al