Anthropic, kompania që ka krijuar chatbot-in e inteligjencës artificiale Claude, ka shënuar një rekord në daljen e saj në bursë, duke siguruar 81 miliardë dollarë nga investitorët. Me këtë hap, kompania vlerësohet rreth 1.5 trilion dollarë, duke u renditur mes kompanive më të vlefshme në botë.
Interesi i madh i investitorëve bëri që kërkesa për aksionet e kompanisë të tejkalonte ndjeshëm ofertën. Fillimisht, Anthropic kishte planifikuar t’i shiste aksionet me një çmim prej 70 deri në 78 dollarësh, por për shkak të kërkesës së lartë, çmimi u përcaktua në 83 dollarë për aksion.
Sipas një investitori të hershëm të kompanisë, i cili foli për BBC-në në kushte anonimiteti, kërkesa për aksionet ishte më shumë se 10 herë më e lartë se numri i aksioneve të ofruara. Interes të madh kanë treguar si investitorët e mëdhenj, ashtu edhe individët.
Dalja në bursë pritet të sjellë pasuri të jashtëzakonshme edhe për shtatë themeluesit e kompanisë, të cilët e krijuan Anthropic në vitin 2021. Ata pritet të bëhen menjëherë miliarderë.
Kjo është një ngjarje e rëndësishme për industrinë e inteligjencës artificiale, pasi Anthropic është kompania e parë e fokusuar tërësisht në zhvillimin e kësaj teknologjie që shet aksionet e saj në tregun publik. Rivalja e saj kryesore, OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, pritet të dalë në bursë vitin e ardhshëm.
Megjithatë, pas këtij suksesi financiar, investitorët kanë edhe shqetësime. Zhvillimi i inteligjencës artificiale kërkon shuma shumë të mëdha parash, veçanërisht për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe blerjen e pajisjeve e çipave kompjuterikë të nevojshëm për funksionimin e saj. Për këtë arsye, mbetet e paqartë se kur kompanitë e këtij sektori do të arrijnë t’i kthejnë investimet e mëdha në fitime.
Anthropic mund të sigurojë deri në 107 miliardë dollarë nga operacioni i saj financiar, duke përfshirë edhe shitjen e aksioneve shtesë në rast se kërkesa vazhdon të jetë e lartë. Në këtë proces përfshihen edhe kompani të mëdha teknologjike, si Nvidia, e cila ka investuar prej vitesh në kompani që përdorin çipat e saj për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
E themeluar nga shtatë ish-punonjës të OpenAI-së, Anthropic drejtohet nga vëllai dhe motra Dario dhe Daniela Amodei. Kompania është bërë e njohur jo vetëm për zhvillimin e Claude, por edhe për paralajmërimet mbi rreziqet që mund të sjellë inteligjenca artificiale nëse zhvillohet pa kontrolle dhe masa të përshtatshme sigurie.
Dario Amodei ka paralajmëruar vazhdimisht se sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale mund të bëhen aq të fuqishme sa të përbëjnë rrezik për njerëzimin. Për këtë arsye, kompania ka kërkuar që zhvillimi i kësaj teknologjie të shoqërohet me më shumë kujdes dhe kontroll.
Ndërkohë, investitorët po ndjekin me vëmendje edhe zhvillimet në tregjet financiare, ku janë shtuar shqetësimet për mundësinë e rregullave më të rrepta ndaj industrisë së inteligjencës artificiale. Një tjetër problem mbetet kostoja e lartë e kësaj teknologjie dhe varësia nga një numër i kufizuar kompanish që prodhojnë pajisjet e nevojshme.
Edhe Rezerva Federale e SHBA-së ka shprehur shqetësim për rritjen e borxheve të lidhura me inteligjencën artificiale dhe përqendrimin e investimeve në një numër të vogël kompanish.
Pavarësisht këtyre pikëpyetjeve, dalja e Anthropic në bursë shihet si një moment i rëndësishëm për të ardhmen e industrisë së inteligjencës artificiale dhe një provë për të kuptuar nëse miliardat që po investohen në këtë sektor do të sjellin fitime të qëndrueshme.



