Disa shkencëtarë thonë se Britania rrezikon të bëhet një terren kultivimi për variante të reja të koronavirusit që mund të jenë rezistente ndaj vaksinave. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, njofton nga Londra.
Për gjashtëmbëdhjetë muaj, klubet e natës u mbyllën nga pandemia. Ata u rihapën më 19 korrik ndërsa Britania festonte të ashtuquajturën “Dita e Lirisë”. Për të rinjtë ishte një shans për të harruar mjerimin e izolimit.
“Ne kemi qenë të fundit që kemi marrë vaksinën, gjithmonë kemi qenë fajtorë, kemi qenë fajtorë për përhapjen e COVID-it. Është bukur të marrësh lirinë dhe ta heqësh gjithë këtë barrë”, thotë një banore e Londrës.
Por shkencëtarët paralajmërojnë se kjo liri sjell rreziqe të shtuara.
“Unë mendoj se do të ketë më shumë infeksione sesa kemi parë në ditët e fundit. Me më shumë infeksione, ka një shans më të madh që të shohim një variant të ri që mund të jetë edhe më infektues”, thotë Emilia Skirmuntt, virologe në Universitetin e Oksfordit.
Britania ka prezantuar një nga programet më të shpejta të vaksinimit në botë. Pak më shumë se 70 për qind e të rriturve janë vaksinuar plotësisht – por ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe disa pjesë të Evropës, vaksina nuk u është ofruar personave nën 18 vjeç.
“Nëse kemi grupe të pavaksinuara, ato krijojnë rrezikun që të shfaqet një variant që mund të jetë më infektues, ose më i aftë të shmangë përgjigjen tonë imunitare. Adoleshentët dhe fëmijët janë të pavaksinuar dhe varianti i ri mund të shfaqet mes tyre”, thotë zonja Skirmuntt.
Disa shkencëtarë paralajmërojnë se kombinimi i niveleve të larta të infeksionit dhe programeve jo të plota të vaksinimit, paraqesin rreziqe të konsiderueshme.
“Po krijohet terreni më i përsosur pjellor për virusin, variantet që janë të pranishme tani, mund të ndryshojnë për t’u bërë rezistente ndaj vaksinës”, thotë Sterghios Moschos, virolog në Universitetin e Northumbrias.
Deri më tani, shkencëtarët e qeverisë britanike thonë se nuk ka asnjë provë që virusi po bëhet më rezistent ndaj vaksinave. Dhe ndërsa më shumë njerëz vaksinohen, infeksionet totale duhet të ulen – duke zvogëluar mundësinë që virusi të transformohet.
Ndërkohë Britania ka një nga programet më të avancuara për evidentimin e sekuencave të gjenomit në botë – kështu që mund të identifikojë shpejt çdo variant të ri shqetësues.
“Gjëja kryesore nga e cila duhet të kemi kujdes nuk është vetëm nëse shfaqet një variant krejt i ri, por është në të vërtetë varianti Delta, i cili ndryshon duke fituar karakteristika të shtuara biologjike që mund të çojnë në më shumë përhapje ose në rritjen e shmangies së imunitetit”, thotë Sharon Peacock, nga Programi i Sekuencave të Gjenomit të Koronavirusit në Britani.
Katërmbëdhjetë përqind e popullsisë globale është plotësisht e vaksinuar kundër koronavirusit. Por vetëm 1.1% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë arritur të marrin një dozë të vetme të vaksinës.
“Kemi nevojë që e gjithë bota të vaksinohet ose të kemi imunitet në një nivel të caktuar. Dhe nëse vetëm disa vende do të vaksinohen në atë nivel, kjo nuk do të na ofronte një rrjet global të sigurisë“, thotë zonja Skirmuntt.
Për sa kohë që pjesë të mëdha të popullsisë mbeten të pavaksinuara, shkencëtarët thonë se koronavirusi do të vazhdojë të paraqesë një rrezik për të gjithë botën./VOA