Bilanci i “Varrit të Bamit”, kokainë e makina, si u kap i riu që u “la targën” me 4 të tjerët, një në kërkim

schedule08:55 - 28 Korrik, 2021

schedule 08:55 - 28 Korrik, 2021

Policia e Shtetit ka dalë në një njoftim zyrtar lidhur me operacionin “Xhamlliku” ku u prangosën 5 persona dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Në operacion është sekuestruar 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.

Lexo edhe: Në vend të trafikantit shtriu në tokë gazetarin, policia jep detaje për operacionin te “Varri i Bamit”

Mes të arrestuarve është edhe 26-vjeçari Gazmir Cani i cili dje kundërshtoi urdhrin e efektivëve për të ndaluar duke u arratisur ndërsa drejtonte “Benz”-in.

Gjithashtu në pranga kanë rënë edhe Gentian Kore 47-vjeç, Taulant Çoku 34-vjeç, Altin Gega 28-vjeç, Erjon Prengaj 32-vjeç.

Policia bën me dije se në kërkim është shpallur 33-vjeçari E(E). , i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut. Ndërsa nga ky operacion janë sekuestruar 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Informacion- Finalizohet operacioni policor i koduar “Xhamlliku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.

Sekuestrohen 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.

Vihen në pranga 5 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër shtetas.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut, kanë zhvilluar operacionin e koduar “Xhamlliku”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

G. K., 47 vjeç, T. Ç., 34 vjeç, A. G., 28 vjeç dhe E. P., 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarje. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Shtetasit e lartpërmendur janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Kujtim Laro”, në biznesin e shtetasit G. K., ku dyshohet se kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga Policia. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit G. C., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikim e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore , për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve G. K., T. Ç., A. G. dhe E. P., dhe për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në ngarkim të shtetasit G. C./abcnews.al/