Mosllogaritja e parave që dalin nga buxheti i shtetit për kontratat e Partneritetit Publik Privat, si pjesë e borxhit publik, është një nismë që do të shkatërrojë arkat e shtetit dhe paratë publike si asnjëherë më parë. Këmbanës së alarmit i bie demokratja Jorida Tabaku, sipas së cilës borxhi publik do të kapë shifrën e 83% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ne vitin e ardhshëm.
“Skemë piramidale që përfshin gjithë buxhetin e shtetit”. Të tillë e quan nënkryetarja e komisionit të ekonomisë, Jorida Tabaku praktikën e qeverisë, atë të Partneritetetit Publik Privat, që sipas saj po zhyt vendin në një borxh të paralajmëruar si nga opozita ashtu edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Sot shqipëria ka një borxh publik 71% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa vetëm PPP-të e dhëna deri më tani përbëjnë 12% të PBB-së”.
Për këtë Tabaku kujton kur gjatë miratimit të buxhetit vitin e shkuar, propozoi një amendament të Ligjit për buxhetin 2018 për të ndaluar rritjen e borxhit dhe për problematikat e projektit “1 miliard euro”. Amendamentet kërkonin njohjen si borxh publik të shtetit, paratë që paguhen çdo vit për kontratat e Partneritetit publik privat, thirrje kjo e ardhur edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në tetor të 2017-ës.
“Një vit më parë e paralajmëruam por ato vazhduan me kokëfortësinë e tyre duke ndërmarrë këtë nismë me pasoja të frikshme për ekonominë shqiptare. Pasi u dhuron kontrata disa milionë euro në xhepat e koncesionarëve oligarkë dhe më pas në xhepat e qeveritarëve të lidhur me to, nis një gjoja reformë për të rritur taksat për qytetarët duke shtuar varfërinë dhe duke prodhuar më shumë pabarazi”.
Ballona e borxhit tanimë është kokëposhtë, shkruan Tabaku, sipas së cilës vitin tjetër borxhi pritet të shkojë më shumë se 83% e PBB-së ndërsa taksat jane rritur më shumë se 5 miliardë USD. /abcnews.al