Rajoni i Pulias i dhuron Tiranës 3 mijë pemë. Pas takimit me Presidentin Michele Emiliano, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se me ndihmën e qyetarëve këtë sezon do arrihet rekordi i mbjelljes se 150 mijë pemëve.
Rajoni i Pulias i bashkohet nismës së Bashkisë së Tiranës për krijimin e një brezi me 2 milionë pemë që do të rrethojë kryeqytetin. Në shenjë miqësie mes dy vendeve Presidenti i këtij rajoni, Michele Emiliano, dhuroi tre mijë pemët e para. Ato u mbollën në Liqenin e Farkës, ku do të krijohet “Parku i Pulias”.
“Pulia hedh rrënjë në Shqipëri, jo vetëm në mënyrë metaforike. Është kjo ditë e mrekullueshme ku po realizojmë këtë ide të kreut të Bashkisë së Tiranës, i cili ka si qëllim të krijojë një prej pyjeve më të mëdhenj në Europë, të mbjella nga dora e njeriut, me miliona pemë të dhuruara nga të gjithë miqtë e Shqipërisë”.
“Në politikë takojmë shumë njerëz që bëjnë premtime, që nuk mbahen kurrë. Ajo që më vjen mirë është se presidenti Emiliano dha një fjalë dhe e mbajti. Sot është kthyer me skuadrën e tij me 3 mijë pemët e para, ndërsa 1 mijë të tjerat do të vijnë në Mars”.
Bashkia e Tiranës dhe Rajoni i Pulias do të rrisin bashkëpunimin edhe në fushën e menaxhimit dhe të trajtimit të ujit të pijshëm./abcnews.al