Ndryshime të rëndësishme parashikohen në Kodin e Procedurës Penale, duke prekur masat e sigurimit, hetimet, të drejtat e të pandehurit dhe publikimin e akteve hetimore.
Një nga ndryshimet lidhet me masën e arrestin në burg që sipas draftit nuk mund të vendoset për vepra penale që parashikojnë një dënim maksimal deri në 5 vite burgim, me përjashtim të rasteve kur personi ka shkelur masat e sigurimit të vendosura më parë në të njëjtin procedim.
Analisti Skënder Minxhozi thotë se reforma në drejtësi, me ndërhyrjet e parashikuara, merr korrigjim pozitiv.
Në një intervistë për “Ora e Njëmbëdhjetë” në ABC News, Minxhozi u shpreh se pushteti gjyqësor i ka tejkaluar kompetencat.
“10 vjet kanë qenë mjaft për të kuptuar se ajo që u lançua si pikë kthesë historike, ka kaluar një numër aspektesh të rrezikshme, sa i përket inercisë së re të gjyqtarëve dhe prokrurorëve, mbijetesës së disa fenomeneve negative. Është një reformë e cila sot me këtë ndërhyrje, merr korrigjim. Ndërhyrja që po kryhet, po korrigjohet procedura, jo themeli. Ndërhyrja do të korrigjojë shumë aspekte negative. Nuk kam parë që situata me paraburgimet të jetë shëruar disi. Po të futemi te drejtësia speciale, kemi krijimin e një kloni, mes akuzës dhe gjykimit. Edhe marrja e dëshmive, është aspekt shumë i rëndë i së shkuarës. Rregullorja e brendshme e GJKKO, është akt arrogance, pak edhe qesharak. Ka kundër avokatët, por edhe mediat. Kërkon ta fshehë gjykimin nga sytë e publikut. Drejtësia i ka tejkaluar disa vija të kuqe”, theksoi ai./abcnews.al


