Po i sillte nga Italia, i kishte fshehur në “Benz”, sekuestrohen 500 mijë euro në Shkodër

schedule10:07 - 23 Korrik, 2021

schedule 10:07 - 23 Korrik, 2021

Rreth 500 mijë euro janë sekuestruar në doganën e Muriqanit në Shkodër, ndërsa është arrestuar poseduesi, që po tentonte që t’i fuste në Shqipëri.

Policia deklaron se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një qytetar që posedonte një shumë të madhe parash dhe tentonte për t’i futur në mënyrë të kundërligjshme organizuan punën dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare të Muriqanit zbuluan 494.785 euro.

Shuma u gjet gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin  tip “Benz”, që drejtohej nga 56-vjeçari Rudolf Radi lindur në Tiranë dhe banues në Ancona, Itali. Shuma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, pasi ishte e padeklaruar, ndërsa poseduesi u arrestua.

Rudolf Radi tashmë do të përballet me dy akuza, për mosdeklarim dhe pastrim parash. Nga strukturat hetimore të DVP Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti./ Abcnews.al