Një burrë i infektuar me koronavirus ka arritur të shmangë kontrollet gjatë udhëtimit pasi u maskua si gruaja e tij. Për të bindur autoritetet, ai veshi xhihab dhe madje kishte një kartë identiteti dhe një rezultat negativ të testit PCR të rremë.
Sipas njoftimit të policisë ishte një stjuardesë që udhëtonte nga Xhakarta për në Ternate në provincën Maluku të dielën, që vuri re burrin që po ndërronte rrobat në tualet. Ai bleu biletën e avionit me emrin e gruas së tij, madje edhe karta e identitetit dhe testi ishte në emër të gruas së tij, tha shefi i policisë së Ternate Aditya Laksimada.
Burri më pas iu nënshtrua testit dhe rezultoi pozitiv.
Indonezia është një nga vendet më të prekura në Azi. Vendi ka regjistruar 33,772 raste të reja dhe 1,383 viktima në 24 orët e fundit. Numri i përgjithshëm i rasteve ka shkuar në 2.9 milion dhe 77,583 viktima që nga fillimi i pandemisë.
Kufizimet në udhëtimet jo-thelbësore, duke përfshirë një test të detyrueshëm negativ të Covid, dhe tubimet publike janë ashpërsuar gjatë festës së Kurban Bajramit këtë javë./abcnews.al