1 mln lekë gjobë për pronarin e lokalit që vendosi himnin pas orës 22:00

schedule09:51 - 19 Korrik, 2021

schedule 09:51 - 19 Korrik, 2021

Klodian Xhafa, pronari i një lokali që ka vendosur himnin kombëtar pas orës 22:00 në shenjë proteste mbrëmjen e djeshme në Vlorë është gjobitur me 1.000.000 lekë si dhe është vënë nën hetim nga policia.

Blutë bëjnë me dije se nën hetim janë vënë edhe dy persona të tjerë të cilët kundërshtuan mbylljen e muzikës duke refuzuar t’i binden urdhrit të policisë. Nën hetim janë vënë Edlira Tahiraj e cila një natë më parë u shoqërua me forcë si dhe Seldi Xhafa.

“U konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë pas orarit të lejuar dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë dhe procedohet penalisht, administratori i subjektit.

Procedohen penalisht dhe 2 shtetas të tjerë që kundërshtuan mbylljen e muzikës dhe nuk i’u bindën urdhrit të punonjësit të Policisë.

Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrolleve kanë konstatuar një subjekt në lagjen “Uji i Ftohtë”, i cili vijonte organizimin me muzikë pas orarit të përcaktuar.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, shtetasit:

K.Xh., banues në Vlorë, administratori i subjektit, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje; S. Xh., banues në Tiranë, pasi pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës; E. T., banuese në Vlorë, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjithashtu, për subjektin është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit”, njofton policia. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!