Nuk ka akoma asnjë leje përsa i përket projektit në Unazën e Re për Avokaten e Popullit. Erinda Ballanca në emisionin “Provokacija” deklaroi se ka vetëm kërkesë për leje nga ana e ARRSH-së.
Erinda Ballanca: Ligji thotë që në rastet që kemi nevojë për bërjen e një vepre publike të përdorim veprën private duhet që të kalojnë nëpërmjet një procedure specifike disa hapash që bëjnë të mundur garantimin e të drejtave të njeriut rast pas rasti.
Mustafa Nano: Cilat janë këto procedura?
Erinda Ballanca: Së pari duhet të ketë një projekt. Së dyti duhet të ketë një leje ndërtimi.
Mustafa Nano: Dhe ju thoni nuk ka as projekt dhe as leje?
Erinda Ballanca: Ka një kuazi projekt dhe ka një kërkesë për leje, por nuk ka akoma leje. Kërkesë për leje nga ARRSH sepse në fakt nuk është një projekt i vogël që do merret bashkia e Tiranës, por është një projekt infrastrukturor i bërë në kuadër të një rruge që i përket rrugëve nacionale dhe jo rrugëve të brendshme të qytetit të Tiranës pavarësisht se përfitues i kësaj rruge do jetë Bashkia e Tiranës. Dhe ndoshta prandaj Bashkia e Tiranës është e përfshirë në këto problematika sepse kërkon që të lehtësojë trafikun e saj.
Sipas avokates, projekti nuk është miratuar ende dhe në këtë mënyrë mbetet vetëm një ide.
“Nuk ka një projekt të miratuar. Projekti pa u miratuar mbetet ende një ide, është diçka që nuk është ende e ligjshme apo e detyrueshme për veprim për organet e tjera sepse kushti parësor është që të ketë një projekt të miratuar, pra të ketë leje përkatëse për rregullimin e këtij projekti. Historia që kemi këtu dhe që më vjen shumë keq është që mundohemi që organet qoftë në rastin e Shkozës që ka qenë më parë dhe tani dalin dhe mundohen që ta trajtojnë çështjen dhe ta trajtojnë sikur është kryesisht vetëm me disa persona që kanë ndërtuar pa leje. Në fakt kjo nuk ka lidhje nëse personat që janë aty janë me leje apo pa leje, por kjo ka lidhje me faktin nëse organi shtetëror zbaton apo jo detyrat e tij sipas ligjit në kryerjen e një vepre publike”, u shpreh Ballanca.
Ballanca tha se ARRSH dhe Ministria e Infrastrukturës duhet të kishin identifikuar pronat. Sipas saj ende nuk dihet dihet sa ndërtime janë të regjistruara apo të paregjistruara.
“Ky duhet të ishtë një informacion që duhet ta kishte ARRSH dhe Ministria e Infrastrukturës duhet ta kishin të qartë dhe të identifikuar. Procedurën për shpronësimet ligji e parashesh me veprime me të paktën gjashtë muaj. Janë veprimet që identifikohen, kush janë personat që preken nga një projekt. Pasi identifikohen personat, përcaktohet sipërfaqa për çdo person, dali në gazeta, duhet të presin. Njerëzit shkojnë dhe ankohen. Ka një proces të madh konsultimi publik edhe për projektin. Ka një sërë gjërash që i paraprin ndërtimit në mënyrë që të shoshiten të gjitha këto problematika. Ne ende sot nuk dimë sa ndërtime janë të regjistruara në ZRPP, sa ndërtime nuk janë të regjistruara? Sa janë në proces legalizimi? Të tëra këto problematika ne i kemi hasur edhe në rastin e Shkozës, ndaj dimë që ekzistojnë edhe në këtë rast”, tha ajo./abcnews.al