Në një kohë kur debati publik dominohet shpesh nga fenomeni i largimit të të rinjve nga Shqipëria, ka histori që na kujtojnë se vendi ynë po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion mundësish, investimesh dhe zhvillimi. Një prej këtyre historive është zgjerimi i pranisë së kompanisë italiane LUTECH në Shqipëri.
Me mbi 250 të rinj të punësuar, të gjithë të diplomuar dhe të përgatitur profesionalisht, LUTECH po dëshmon se Shqipëria ka kapital njerëzor cilësor dhe konkurrues.
Drejtuesi i Qendrës Globale të Kompetencës në Lutech, Gianluca Ciminata tha se Shqipëria është shtëpia e tij e dytë. Ai deklaroi se në biznesin e hapi në vitin 2018.
Sipas tij, deri në 2028, synohet që në kompani të jetë rreth 500 të punësuar.
Artur Nura: A mund të më tregoni nëse ndjeni emocione që po inaugurohet një filial si ky në Tiranë, apo ju jeni mësuar me të tilla ngjarje?
Gianluca Ciminata: Në radhë të parë, mund të them se kjo është pothuajse si shtëpia ime e dytë. Në 2018 ne hapëm këtu biznesin tonë dhe tani kemi 250 persona të punësuar. Kështu, inaugurimi i kësaj shtëpie në këtë vend kaq të bukur jep imazhin e vizionit tonë për të ardhmen.
Ne kemi projektet tona për 2028, të kemi rreth 500 të punësuar. Jemi në kërkim të të rinjve të talentuar dhe duam t’u japim një shtëpi të rehatshme, një kompani që të jetë moderne, e në të njëjtën kohë të ndihen si në shtëpi tek ne, me një qasje disi italiane e disi shqiptare.
Artur Nura: Italo-shqiptare, mund të themi…
Gianluca Ciminata: Italo-shqiptare, saktë. Pra, kjo qasje italo-shqiptare dhe mbi këtë bazë ne kemi ndërtuar pothuajse gjithë biznesin tonë.
Artur Nura: Unë e kam parë, por duhet t’ia tregojmë edhe teleshikuesve tanë. Këtu më duket vetja si në New York, por brenda do të gjej të rinj shqiptarë që flasin italisht, të diplomuar, të aftë…
Gianluca Ciminata: Po, ne kërkojmë talentet më të mira që janë në Shqipëri, por të kenë edhe aftësi të tjera, sepse nuk mjafton që të kesh talent, por duhet edhe vendosmëri e pasion dhe ky aspekt i të rinjve ka shumë rëndësi për ne.
Artur Nura: Edhe një pyetje, më shumë teknike. Mbështetja e qeverisë shqiptare për këtë biznes të rëndësishëm ka munguar apo ka qenë e pranishme në nivelin e duhur?
Gianluca Ciminata: Kur filluam, nuk e patëm të nevojshme, sepse ishim rreth 50 veta. Në 2018 ishte një moment kur edhe për ne ishte diçka e re. Tani e ndiejmë mbështetjen shqiptare, shohim grupin e Durana Park me të cilin bashkëpunojmë, shohim shumë aspekte të qeverisë që na shtyjnë të punojmë së bashku dhe kjo, për mendimin tim, është vërtet një hap i rëndësishëm edhe për Shqipërinë për të hyrë në Evropë.
Artur Nura: OK, ju falënderoj. Sigurisht, ju do të flisni gjatë ceremonisë, ne do t’ju ndjekim gjatë kësaj dite të rëndësishme për Lutech. Emri Lutech simbolizon diçka?
Gianluca Ciminata: Emri rrjedh nga një grup që merrej me teknologjinë, Lutech, ndërsa tani në Itali, por edhe në Evropë, përfaqëson një ndër tre grupet italiane më të mëdha që merren me novacionin. Ne besojmë se vlera e vërtetë e novacionit është tek Inteligjenca Artificiale (AI), sepse AI ka ndryshuar shumë gjëra; duhet të kuptojmë se si ta drejtojmë këtë ndryshim. Këta të rinj, do ta shihni, janë jo vetëm smart, por arrijnë të shohin se cila do të jetë e ardhmja…
Artur Nura: Do t’i shohim. Përgëzime për punën.


