Për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, rezultati i Vettingut është i suksesshëm. Ajo ishte e ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide”, ku tha se reforma në drejtësi do marrë kohën e saj për t’u ndërtuar dhe se Vettingu po ecën me hapa të mirë.
“Reforma në drejtësi do të marrë kohën e saj për t’u ndërtuar. Ajo që u vendos në paketën ligjore është që institucionet e reja të ngrihen duke pasur anëtarë që kanë kaluar me sukses Vettingun. Për momentin Vettingu po ecën me hapa të mirë. Mbase kërkohet më shumë shpejtësi për atë listë që është kthyer në prioritare siç është Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, tha Gjonaj.
Fakti që shumë gjyqtarë dhe prokurorë po ngelin përpara KPK-së, nuk është shqetësues për ministren pasi po pastron të korruptuarit.
“Rezultati i Vettingut është i suksesshëm se ka arritur të pastrojë sistemin nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Asnjë nuk e mendoi që do kishte këtë numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh që do ngelnin, kryesisht për shkak të pasurisë”, u shpreh Etilda Gjonaj.
Ministrja Gjonaj dha edhe një përgjigje rreth spekulimeve që autoritetet e huaja nuk i ekstradojnë disa personazhe të dosjeve më të bujshme në Shqipëri, për shkak të frikës se autoritet kët unuk i shkojnë deri në fund çështjeve.
“Unë nuk di apo nuk kam ndonjë letërkëmbim me autoritetet e huaja për këto spekulime që ju po thoni. Kjo është një marrëdhënie mëse normale. Nuk ka asnjë lloj përcaktimi apo problemi dyshimi për çështje konkrete. Nuk di se nga burojnë këto spekulime”, u shpreh gjonaj.
“Ministria e Drejtësisë është autoritet qendror që përcjell kërkësa dhe vendimet e gjykatave për ekstradimet dhe letërporosivë. Ministria e Drejtësisë vetë nuk mund të veprojë”, tha më tej ajo.
Në “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, Gjonaj tha gjithashtu se për shkak të Task Forcës Antikorrupsion janë rekomanduar mbi 400 masa disiplinore për punonjësit e institucioneve dhe kallëzuar penalisht 36 punonjës, jo vetëm të nivelit të ulët, por edhe të lartë./abcnews.al