Njësoj si në pankinë, merkato e Romës vazhdon me një tjetër portugez. Rui Patricio është dhurata e parë e drejtuesve të klubit italian për Jose Mourinhon, trajnerin e ri të skuadrës verdhekuqe.
“Gardiani” firmosi një kontratë 3-vjeçare, teksa i kushtoi Romës rreth 12 milion euro. Aventura e parë në Serie A dhe me “Special One” për 33-vjeçarin luzitan, i cili ndihet i emocionuar që do të punojë me një nga trajnerët më të mirë.
“Është hera e parë që do të punoj me Mourinho, padyshim një nga trajnerët më të mirë në botë për çdo futbollist. Çdo atlet e ka ëndërr të punojë dhe të stërvitet nga një trajner i tillë.
Mourinho padyshim që përfaqëson një vlerë të madhe të shtuar për të qenë në gjendje të rritesh, të punosh dhe përmirësohesh, dhe sigurisht që është diçka shumë magjepsëse“, deklaroi portieri i Romës. /abcnews.al