Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian ka prekur së fundmi edhe futbollin anglez. Parashikohet që Federata Angleze e Futbollit t’u paraqesë presidenteve të klubi një plan për reduktimin e lojtarëve të huaj.
Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian ka dhënë lëkundjet e para në futbollin britanik. Kohët e fundit ka pasur analiza të ndryshme të institucioneve të futbollit anglez në lidhje me pasojat. Fillimisht duhen arritur konkluzionet e më pas të merren vendimet për të mirën e përbashkët të djepit të futbollit botëror.
Problemi themelor është kufizimi i numrit të lojtarëve të huaj në skuadrat angleze. Federata e futbollit britanik pritet t’u paraqesë 20 presidentëve të klubeve respektive një plan ku parashikon kufizimin e numrit të lojtarëve të huaj nga 17 që është aktualisht në 12 të tillë. Qëllimi i federatës angleze është që gjysma e organikës së skuadrave angleze të përbëhen nga lojtar britanikë. Kjo do të sillte një rritje të ndjeshme të cilësisë në kombëtaren angleze.
13 skuadra në kampionatin anglez kanë më shumë se 12 lojtarë të huaj në organikë. Kujtojmë që në skuadrat kryesore angleze ka shumë pak futbollistë vendas pasi janë shume aktivë në merkaton europiane. Në Premier League janë federuar plot 268 lojtarë të huaj dhe sipas rregullores së re, numri i tyre do të reduktohet me 28 futbollistë./abcnews.al

