Në kufirin verior të Meksikës ka mbërritur pjesa e parë e karvanit të emigrantëve, që synojnë të hyjnë në terrorin e Shteteve të Bashkuara. Ata do të presin pjesën tjetër për të tentuar më pas bashkarisht hyrjen. Ndërkohë, në Amerikë ka krijuar habi heshtja e presidentit Trump lidhur me këtë rast.
Një grup prej 400 emigrantësh nga Amerika Qendrore kanë mbërritur në Tihuana të Meksikës, ku do të presin karvanin e gjatë të nisur nga Hondurasi për të kërkuar më pas hyrjen në Shtetet e Bashkuara, në kufirin që bashkon qytetin meksikan me San Diegon.
Kryetari i Bashkisë së Tihuanës, Huan Manuel Gastelum ka shprehur shqetësimin e tij se strukturat civile për pritjen e emigrantëve kanë kapacitete të kufizuara dhe nuk mund të strehojnë njerëz të tjerë. Gjithashtu, qytetari i parë është ankuar se pjesa dërrmuese e personave të ardhur nuk pranoi këshillat për t’u strehuar në pika të sigurta dhe refuzoi t’i nënshtrohej kontrolleve mjekësore.
“Vetëm 50 pranuan, të tjerët ikën për të pirë alkool dhe tymosur marijuanë”, ka thënë kryebashkiaku.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara ajo që ka rënë në sy ka qenë heshtja e presidentit Donald Trump lidhur me karvanin e emigrantëve, që prej ditës së zgjedhjeve të mesmandatit. Nga 16 Tetori deri më 6 Nëntor, Trump postoi 45 mesazhe në Twitter në lidhje me kufirin SHBA-Meksikë dhe karvanin që po udhëtonte përmes Meksikës.
Ndërsa prej 6 Nëntorit, kreu i shtetit nuk e ka përmendur më karvanin në asnjë postim. Vetëm më 9 nëntor ai përdori një herë termin “kufi” kur postoi një link për planin e qeverisë për zgjidhjen e problemit të emigracionit në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Kjo kontradiktë e Trump, mes retorikës së tij deri ditën e zgjedhjeve dhe qëndrimit të tij pas mbajtjes së tyre tregon pa asnjë dyshim se, sulmet e presidentit ndaj karvanit të emigrantëve ishin 100 për qind politike, shkruan CNN./abcnews.al