Teksa ditën e sotme priten të jepen masat e sigurisë për 9 zyrtarët e arrestuar për një tender abuziv për uniformat e policisë, abcnews.al, ka siguruar dosjen e SPAK ku flitet për një zyrtare e cila nuk ka pranuar të firmos në këtë tender madje ka ngritur shqetësime për korrupsion.
Bëhet fjalë për inxhinieren tekstile, Aurora Mulla e cila ka rrëfyer se çmimet e uniformave dhe këpucëve për policinë u rritën pasi u ndryshuan specifikimet teknike.
Sipas SPAK “Ky shqetësim i saj për përcaktimin e sasive të pritshme të artikujve të uniformës është shfaqur tek anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit, por nuk është dokumentuar me ndonjë procesverbal konkret, përveç mosnënshkrimit të asaj të tabelave të mësipërme”.
LEXO EDHE: 328€ një kapele, kush ishte inxhinierja që nuk pranoi të firmoste tenderin abuziv në MB
“Ajo ka deklaruar faktin se në procesverbalin nr.3, datë 15.10.2019 “i hartimit të shtojcës për disa ndryshime në dokumentet e tenderit të procedurës së prokurimit”, ky procesverbal nuk është nënshkruar nga ana e saj nga faqja nr. 16 deri në faqen 19, ku është përshkruar tabela për sasitë e pritshme të artikujve të uniformës, si dhe nuk është nënshkruar nga ana e saj tabela e përllogaritjes së fondit limit pas ndryshimit të specifikimeve teknike, e cila është bashkëlidhur këtij procesverbali. Ajo nuk ka pranuar t’i nënshkruajë këto dy tabela për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord. Si dhe nuk ka nënshkruar as dokumentet standarde të tenderit te dokumenti “Sasia dhe grafiku i lëvrimit”, te tabela “Sasia e pritshme të uniformave që kërkohen”, e cila përbën faqen 64-67 të dokumenteve standarde të tenderit të ndryshuar. Ky shqetësim i saj për përcaktimin e sasive të pritshme të artikujve të uniformës është shfaqur tek anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit, por nuk është dokumentuar me ndonjë procesverbal konkret, përveç mosnënshkrimit të asaj të tabelave të mësipërme”, thuhet në dosjen e SPAK.”
Tre ditë më parë SPAK përmes një operacioni ka prangosur 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për abuzime në tenderin e blerjes së uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 2.8 miliardë lekë. Ndër të arrestuarit ishte edhe drejtoresha Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari. e.l/abcnews.al/