26 vjet nga masakra e Srebrenicës, Kurti: Ndëshkimi i kriminelëve, themeli i paqes Ballkanin

schedule10:29 - 11 Korrik, 2021

schedule 10:29 - 11 Korrik, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përkujton sot 26-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe mbi viktimat boshnjake.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” Kurti shprehet se qeveria e Kosovë është për paqe, bashkëpunim dhe barazi me kombeve në Ballkan, duke shtuar se themeli i paqes është ndëshkimi i kriminelëve.

Parlamenti Europian e ka shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës  së njohur nga Europa pas Luftës së II Botërore.

Reagimi:

Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore.

Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë:

“Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale./abcnews.al/