Ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është larguar nga shtëpia e tij në Bajr të Mitrovicës nën përcjelljen e forcave të shumta të EULEX-it. Nga pamjet shihen makina të shumta të policisë së EULEX që e përcjellin Veselin nga shtëpia. Kadri Veseli ka qëndruar për disa orë në shtëpinë e tij në Mitrovicë për vizitë familjes pas vdekjes së babait të tij të mërkurën.
Në një përgjigje nga Dhomat e Specializuara për Gazetën Express kanë konfirmuar se për shkak të arsyeve humanitare që lidhen me vdekjen e babait të tij, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka lejuar vizitën e Veselit në Kosovë.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e ka udhëzuar Regjistrin që të mundësojë një vizitë nën kujdestari në Kosovë për z.Veseli për të mbajtur zi me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në ndalim paragjyqësor dhe në ndalim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke i përkrahur Dhomat e Specializuara të Kosovës.”, thuhet në përgjigjen e Speciales. m.v/abcnews.al