Ndonëse bizneset kanë ndërtuar një prani të mirë online, ato po dështojnë të shfrytëzojnë inteligjencën artificiale dhe të dhënat për të rritur shitjet, deklaroi Rezart Lahi, ekspert sipërmarrjeje për “Money Report” në ABC News. Rreth dy të tretat e kompanive nuk e përdorin teknologjinë për të kursyer kohë apo për të nxjerrë fitim, kryesisht për shkak të mungesës së sigurisë, kohës dhe mentalitetit tradicional.
Përveç kësaj, keqpërdorimi i të dhënave dhe mospërshtatja me standardet e Bashkimit Evropian rrezikon t’u kushtojë bizneseve gjoba deri në 20 mijë dollarë. Në këto kushte, eksperti theksoi nevojën për masa nxitëse në përdorimin e teknologjisë, duke paralajmëruar se aktualisht jemi prapa me plotësimin e kritereve të kërkuara.
“Ajo që kuptojmë dhe që është shumë e qartë, është se nuk kemi probleme me internetin, apo me vitrinën, sepse të gjithë kanë hapur rrjete online. Nga pikëpamja e fasadës gjithçka është në rregull, por problemi qëndron te problemi i AI për shitje. 2/3 e bizneseve nuk e përdorin teknologjinë për të kursyer kohë, por edhe për të nxjerrë fitim.
E shikoj më tepër si një mungesë sigurie dhe kohe, si dhe një stereotip që ne jemi mësuar që t’i bëjmë gjërat vetë. Një biznes që nuk përdor të dhënat, është një magazinë bosh, që nuk po shfrytëzon të dhënat.
Ka shumë biznese që nuk përdorin AI. Përdorimi është i kufizuar në disa sektorë. Duhen masa nxitëse për përdorimin e teknologjisë. Prania në rrjetet sociale është një furrë që t’i duhet të hedhësh. Jo gjithmonë ka shitje përmes rrjeteve sociale. Janë instrumentet shumë të mirë jo vetëm në perceptim, nisma të tilla gjithmonë duhen.
Ka biznese që mund të marrin gjobë deri në 20 mijë dollarë për keqpërdorim të dhënash. Sipërmarrjet duhet që të përshtaten me rregulla të reja, sipas standardeve të bizneseve në BE. Por, aktualisht jemi mbrapa me plotësimin e kritereve”, u shpreh Lahi.

