Spinazzola: Prezent në “Wembley”, fishkëllimat e anglezëve do na karikojnë

schedule10:18 - 10 Korrik, 2021

schedule 10:18 - 10 Korrik, 2021

Leonardo Spinazzola ka vendosur të rikthehet në kombëtare për të motivuar shokët përpara finales së Euro 2020 kundër Anglisë dhe për të shijuar duelin e zjarrtë të së dielës në mbrëmje (21:00), me shpresën dhe besimin për të festuar në fund.

Anësori i majtë i kombëtares italiane, pësoi një dëmtim në tendinën e Akilit në çerekfinale ndaj Belgjikës. Operacioni i kryer në Finlandë ka shkuar mirë dhe 28-vjeçari do të qëndrojë 6 muaj pushim.

Italia ia kushtoi Spinazzolës kualifikimin në finalen e madhe, teksa ky i fundit, në prononcimin e dhënë për Tg1 deklaron se do të udhëtojë me shokët e skuadrës, do i karikojë ata për finalen e “Wembley” dhe shpreson të festojë në fund, edhe pse me paterica.

Do të bashkohem me shokët në Londër. Ata më dhuruan një mbrëmje të pabesueshme ndaj Spanjës. Jemi një skuadër e madhe, jemi një familje. Jam futur në zemrat e tyre dhe ky është një emocion i bukur.

Finalja? Na pret një ndeshje e vështirë. Anglia ka një skuadër shumë të fortë dhe luajmë në Wembley, shtëpinë e tyre. Por do të jetë edhe më bukur të dëgjojmë fishkëllimat e tifozëve të tyre, do na japin një karikim ekstra.

Edhe pse me paterica, unë jam gati të festoj dhe të tundem nga emocionet. Nëse fitojmë, do më duhet të zbres në fushë dhe të kërcej me të gjithë. Shpresoj të kërcej me një këmbë, gjatë gjithë kohës.

Shokët do i inkurajoj në aeroplan. E dini çfarë do t’u them: djema, jam edhe unë këtu“, deklaroi mbrojtësi i majtë i Romës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!