Meta: Një ushtarak s’mund të jetë ministër, Rama: Kërkoi çdekretim

schedule15:31 - 12 Nëntor, 2018

schedule 15:31 - 12 Nëntor, 2018

Presidenca publikoi sot një shkresë me 14 pyetje që Kreu i Shtetit i ka drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me Sandër Lleshajn. Kreu i Shtetit shprehet se sipas Kushtetutës një ushtarak në detyrë nuk mund të marrë asnjë detyrë tjetër shtetërore, përfshirë edhe atë të ministrit. Por në një reagim, kryeministri Rama paraqet një kërkesë të Sandër Lleshajt drejtuar Kreut të Shtetit për çdekretimin si gjeneral.

Është Presidenti Ilir Meta që ka vendosur ta bëjë publikisht lëvizjen në fushën e shahut politik të kryeministrit. Ky i fundit e akuzoi se shkeli Kushtetutën me mosdekretimin e Sandër Lleshajt si Ministër i Brendshëm.

Por kreu i shtetit i rendit disa nene të kushtetutës së republikës së Shqipërisë nëpërmjet të cilave i kërkon sqarim është apo nuk është ushtarak aktiv Sandër Lleshi?

“Neni 167

  1. Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike.

Neni 103

  1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.

 Neni 69

  1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
  2. b) ushtarakët e shërbimit aktiv”

Nëpërmjet 14 pyetjeve institucioni i presidences i kërkon Ministrisë së Mbrojtjes të përgjigjet nëse gjeneral Lleshaj është propozuar nga kryeministri për në postin e ministrit të brendshëm ndërkohë që është një ushtarak i shërbimit aktiv.

Madje kreu i shtetit kërkon të dijë  se a ka qenë në dijeni ministria e mbrojtjes gjatë shqyrtimit gjyqësor së Sandër Lleshaj se  ndërkohë që zhvilloheshin proceset gjyqësore ishte i emëruar si Këshilltar i kryeministrit

Si ka vlerësuar dhe si parashikon ministria e mbrojtjes ekzekutimin e vendimit gjyqësor me të cilin Gjykata e Apelit Administrativ urdhëron: Kthimin e paditësit Sandër Lleshi në detyrën e Zv/shefit të shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, apo në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban.

Këto sqarime munguan në propozimin e parë që i dërgoi kryeministri Edi Rama e po në të dytën- sqaron presidenca.

Përgjigja nuk vonoi, jo nga ministria e mbrojtjes por nga kryeministri.

Aty ku njoftoi dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj dhe zëvendësimin e tij me Sandër Lleshajn, në rrjetin social twitter kreu i qeverisë publikon zgjidhjen shterruese të problemit të ngritur nga presidenti të cilën e konsideron vorbull të panevojshme.

“Bashkëngjitur ju keni kërkesën e zëvendësministrit Sandër Lleshaj për ta çdekretuar si gjeneral aktiv, në rast se ndryshe nga ne që mendojmë se ky nuk është rasti, Ju mund të mendoni se statusi i tij aktual është ai i gjeneralit aktiv.

Ekspertët tanë mbrojnë gjithashtu bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i republikës do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit tuaj për të si ministër”.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe shkresa e zëvendës Ministrit Sandër Lleshaj. Ai pranon se ndërkohë që ishte në proces gjyqësor ka nisur punë si këshilltar në kryeministri. Megjithëse ka fituar një shkallë të gjyqësorit e cila e rikthen në detyrën e zëvendës shefit të përgjithshëm të forcave të armatosura, dosja e tij po shqyrtohej në gjykatën e lartë. A ka shkelur ligjin kryeministria duke punësuar një ushtarak për të cilëin drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit? Nëse kabineti i kryeministrit  Rama e ka dhënë përgjigjigjen e tij, për presidentin Ilir Meta është shkelje e kushtetutës .

Nëpërmjet dy shkresave , kreut të shtetit iu tha se gjeneral Lleshaj është ushtarak aktiv dhe këtë e tregon kërkesa e tij për ta cdekretuar si gjeneral aktiv.

Do ta dekretojë apo jo?  Lëvizja e fundit është në duart e Presidentit Ilir Meta./abcnews.al