31 viktima dhe 228 të zhdukur është bilanci i zjarreve më të këqija në historinë e shtetit të Kalifornisë. Qyteti i Paradajz është shkatërruar, ndërsa tashmë rrezikohet dhe Malibu.
Shkon në 31 numri i viktimave dhe 228 të zhdukur si pasojë e zjarreve që kanë shkatërruar Kaliforninë. Sipas autoriteteve këto zjarret më të këqija në historinë e shtetit. Më shumë se 300 mijë persona janë detyruar të braktisin banesat e tyre. Ndërkohë qyteza e Paradajz është shkrumbuar e tëra. Presidenti amerikan Doanld Tramp vazhdon të fajësojë keqmenaxhimin e pyjeve duke thënë se një fenomen i tillë mund të parandalohet nëse banorët tregohen të zgjuar. Madje me anë të një mesazhi në profilin e tij Tuiter Tramp kërcënon se do të ndërpresë fondet federale për këtë shtet.
Ekspertët shprehen se një nga faktorët që ka ndikuar në këtë situatë të paprecedentë është dhe thatësira, dhe pse Kreu i Shtëpisë së Bardha këmbëngul se nuk ka të bëjë aspak me ndryshimet klimaterike.
Por për zjarrfikësit, ndërhyrjen e shpejtë dhe banorët që po garojnë me kohën, politika në këto momente nuk ka të bëjë fare. Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë përmasat e dramës me zjarrin që ka përfshirë çdo gjë: pyje, shtëpi, ndërtesa industrial dhe rrugë. Si dhe një numër i madh automjetesh të bllokuara nga një mur zjarri që i ka kthyer në hi.
Janë tre frontet e zjarrit me të cilat po përballen zjarrfikësit, mbrojtja civile dhe vullnetarët, nga veriu në jug. Flakët kanë pushtuar dhe disa zona të Los Anxheles që janë evakuuar menjeherë, përfshirë dhe kopshtin zoologjik. Ndërkohë po luftohet për të ndaluar zjarrin në Malibu, në pjesën përballë oqeanit paqësor ku kanë vilat e tyre emra të njohur të Hollivud si Kim Kardashian, aktorët Martin Shin e Orlando Blum, Sher e Ledi Gaga. Të gjithë kanë publikuar fotografi se si duken banesat e tyre nga brenda. Banesa e Ketlin Xhener është shkrumbuar, dhe regjisori meksikan Guilermo del Toro u detyrua të braktisë vilën e tij.
Të paktën dhjetë trupa të pajetë janë gjetur në zonën e Paradajz, qytezës në veri të Sakramentos, të shkrumbuuar totalisht nga zjarri. Shtatë nga viktimat ndodheshin në banesë, tre prej tyre jashtë teksa përpiqeshin të arratiseshin në këmbë apo me automjet. Katër viktima të tjera u gjetën brenda automjeteve të tyre. Ndërsa numri i personave të evakuuar në të gjithë Kaliforninë ka arritur në 300 mijë. /abcnews.al