Nga foltorja e Kuvendit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu theksoi edhe njëherë se në Shqipëri nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me variantin “Delta” të Covid.
Manastirliu tha se strukturat e ISHP janë në situatë alerti dhe po monitorojnë çdo rast. Gjithashtu, ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë të vaksinohen. Sipas saj, pacientët që janë aktualisht të shtruar në Infektiv nuk kanë bërë vaksinën.
“Përpjekjet e qeverisë për të siguruar vaksinat nuk ka reshtur për asnjë moment. Vijojnë edhe sot kur kemi mbi 1 milion vaksina në vend. Presim shumë shpejt në korrik dhe gusht mbi 400 mijë doza të vaksinave që do të mbërrijnë në kuadër të kontratave ekzistuese. Përpjekjet tona për t’ja dalë nuk do të ndalen. Duam që kjo situatë e favorshme të kthehet në një stinë të vaksinimit masiv. Ftoj çdo qytetar që të mos hezitojë. Qartësisht Shqipëria është në një situatë të qëndrueshme. Rastet që kemi sot të shtruara në Infektiv janë qytetarë që nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë për tu vaksinuar dhe sot janë në spital.
Varianti Delta mbetet një kërcënim edhe për vendin tonë. Ashtu sikurse evidencat tregojnë ka një përhapje të egër. Strukturat tona të ISHP janë në një situatë alerti. Duke monitoruar me shumë kujdes të gjitha rastet e dyshuara. Nuk kemi një prezencë të këtij varianti. Por jemi duke monitoruar çdo rast me shumë kujdes. Qarkullimi i varianteve të reja janë arsye të forta për tu vaksinuar sa më parë. jemi të organizuar për të vajtur derë më derë me programin dhe njësitë e lëvizshme,” u shpreh ministrja. g.v/abcnews.al