Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili ndodhet në Hagë për shkak të akuzave nga Gjykata Speciale, u ka dhënë leje familjarëve të tij, të vazhdojnë me procedurat e varrimit të babait të tyre.
Veseli ka kërkuar që babai të përcillet për në banesën e fundit edhe nëse nuk ka mbërritur ai ende.
Kështu kanë thënë familjarët e Kadri Veselit për Klan Kosovën, ndërsa bëjnë përgatitjet për ceremoninë e përcjelljes të babait të tyre Fazliut, i cili ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të mërkure.
Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, do të varroset sonte në orën 19:00, në varrezat e fshatit Broboniç të Mitrovicës. Por, ende nuk dihet nëse Kadri Veseli ka ardhur në Kosovë.
Babai i Veselit vuante prej muajsh nga një sëmundje e rëndë. Disa javë më parë Veseli mori leje në paraburgimin e Hagës për të ardhur në Kosovë që të shikojë të atin, i cili ndodhej në spital.

