Banorët e Kukësit po kalojnë ditë të vështira për shkak të mjegullës, e cila e zhyt qytetin dhe fshatrat për shtatë orë me radhë dhe problemet po ndjehen në popullatë dhe në qarkullimin e mjeteve.
Mëngjeset në Kukës janë kthyer makth për banorët. Mjegulla pushton qytetin dhe fshatrat për më shumë se shtatë orë çdo ditë. Të moshuarit ndihen më keq. Kjo gjë vështirëson frymëmarrjen.
“Na mbyti. Na e mori frymën”, u shpreh një qytetar.
“Kjo është shumë e dëmshme për të gjitha moshat, lëre më për moshën e tretë”, tha një tjetër.
“Mjegulla problem është për njerëzit azmatikë, për ata me sëmundje kronike. Problem për shoferët, për lëvizjen”, u shpreh një tjetër qytetar në Kukës.
Probleme ka edhe për fëmijët. Mjeku Mark Nufi thotë se periudha të tilla shtojnë rastet e të prekurve me virozat e gripit.
“Ne këshillojmë që moshat e vjetra në mëngjes të mos dalin fare përjashta, derisa të bjerë dielli. Pasi bie dielli krijohen kushte të mira atmosferike. Por edhe fëmijët e vegjël mos t’i lenë të dalin familjarët të luajnë nëpër lulishtet tona sepse duke luajtur ngrohen edhe marrin ajrin e ftohtë dhe të lagësht dhe do acarohen me bronkite. Një faktor që mund të çojë edhe në ftohje të mushkërive”, theksoi mjeku.
Shëndeti i banorëve është problem i parë që krijohet nga mjegulla. Por dendësia e saj ka shkaktuar shqetësime edhe në qarkullimin rrugor, veçanërisht në Rrugën e Kombit. Mjetet janë të detyruara të përgjysmojnë shpejtësinë e lëvizjes për të shmangur aksidentet e mundshme./abcnews.al