Skënderbeu shpreson të kthehet tek fitorja pas humbjes me Laçin. Trajneri Orges Shehi synon të mundë Flamurtarin dhe ish-trajnerin e tij, Ilir Dajën.
Nuk kuptohet mirë ky ekip. Menjëherë pas humbjes së papritur në Laç, Skënderbeu do të ketë përballë Flamurtarin, skuadrën që e mundi bindshëm brenda në Vlorë. Kuptohet, që luftohet sërish për kreun, por si ka mundësi që kampionët fitojnë me më të fortët, dhe dorëzohen thuajse plotësisht përpara më të vegjëlve?
“Jemi skuadër e re, me moshë shumë më të re. Kur lufton për objektiva madhore gara është e gjatë”, tha Shehi.
Orges Shehi do të jetë për të dytën herë përballë ish-trajnerit të tij, Ilir Dajës.
“Unë do thoja që është ndeshje mes Skëndërbeut dhe Flamurtarit. Siç studion Daja lojtarët tanë dhe ne i kemi studiuar lojtarët e tyre”, u shpreh trajneri i Skënderbeut.
Po kjo pyetje i bëhet edhe Dajës, që flet nga Vlora.
“Është hera e parë që shkoj si kundërshtar, si trajner i Flamurtarit. Shkojmë me idenë e qartë që nëse duam rezultat në Korçë, përveç se duhet të djerësijmë shumë, duhet të jemi dhe shumë të fortë psikologjikisht”, u shpreh Daja.
A mund të quhet ky një mision i pamundur për Flamurtarin, pas disfatës së merituar me korçarët në Vlorë?
“Ka gati dekadën e fundit që kryeson në kampionatin shqiptar. Në këto momente ka treguar se është në një formë shumë të mirë”, tha trajneri Daja.
Skënderbeu mban vendin e dytë në Superligë, ndërsa Flamurtari është i gjashti, plot 7 pikë prapa./abcnews.al