Kurti: BE-ja t’i mbajë premtimet

schedule07:22 - 6 Korrik, 2021

schedule 07:22 - 6 Korrik, 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Bashkimi Evropian, duhet të bëjë pjesën e saj duke mbajtur premtimet e dhëna, ndërkaq Kosova duhet të bëjë detyrat e saj, sa i përket përmbushjes së reformave.

Këto komente ai i bëri gjatë takimit të Procesit të Berlinit, ku tha se ky proces, shtatë vjet më parë u krijua në sfondin e sfidave gjeopolitike dhe pasigurive në rajon dhe në kohën kur anëtarësimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor duhej i largët. Por, sipas Kurtit, as pas shtatë vjetësh, situata nuk ka ndryshuar shumë.

“Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat”, tha Kurti.

Gjatë fjalës së tij, Kurti po ashtu ka thënë se si kryeministër i një shteti, qytetarët e të cilit “mbahen të izoluar, duke mos iu lejuar liberalizimi i vizave”, e kupton frustrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për moshapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Në takimin në kuadër të Procesit të Berlinit, të kryesuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, morën pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderë të BE-së.

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!