Leonardo Spinazzola u dëmtua në ndeshjen me Belgjikën dhe për të Europiani mori fund pas asaj ndeshjeje. Mbrojtësi i majtë ka këputur tendinën e Akilit dhe do të mungojë për rreth 6 muaj.
Në momentin që ai përfundoi i shtrirë në fushë gjatë ndeshjes, kishte nga ata që menduan se po vononte lojën. Edhe motra e portierit Thibaut Courtois, Valerie, mendonte njëlloj dhe e shprehu diçka të tillë përmes një postimi në “Intagramin” e yllit të Belgjikës.
“Këto janë ato që ne i quajmë hile tregtie”, shkruante 30-vjeçarja, e cila është volejbolliste profesioniste me Stade Français. Pasi ka mësuar se Spinazzola nuk kishte aktruar deh dëmtimi i tij ishte i rëndë, Valerie ka kërkuar falje.
“Më vjen shumë keq që mësoj se Europiani i Spinazzola përfundoi në këtë mënyrë. Kërkoj falje për reagimin në atë moment dhe absolutisht shpresoj që të rikuperohet sa më shpejt”, shkruan motra e Courtois në rrjetet sociale.
Spinazzola ndërkohë pritet që të operohet sot dhe më pas të nisë fazën e rikuperimit, për të qenë i gatshëm për Romën në pjesën e dytë të sezonit të ri futbollistik. /abcnews.al