Kukësi ka qenë aktiv në merkato ditët e fundit. Klubi verilindor ka prezantuar afrimin e radhës pak çaste më parë. Afrimi i fundit është Donald Rapo, 30-vjeçari nga Korça.
Një “xhol” për ekipin kuksian, pasi Rapo, i cili ka firmosur një kontratë 2-vjeçare, mbulon pozicione të ndryshme në repartet e mbrojtjes dhe mesfushës.
“Zyrtare! Donald Rapo është zyrtarisht futbollist i Kukësit. Futboll Klub Kukësi njofton se mbrojtësi Donald Rapo është zyrtarisht futbollist i Kukësit. Klubi ka arritur marrëveshje me mbrojtësin 30-vjecar, duke firmosur kontratë për 2 sezonet e ardhshme.
Rapo vjen në klubin e Kukësit nga skuadra e Drenicës në kampionatin e Kosovës, por është njohës i mirë i kampionatit tonë, teksa ka qenë pjesë e skuadrës së Burrelit, Luftëtarit e Laçit.
Klubi i Kukësit i uron Rapos shumë suksese me fanellën e Kukësit! Mirësevjen Donald!“, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit verior. Rapo është i entuziazmuar për këtë aventurë të re dhe beson se do ia dalë të fitojë trofe me Kukësin.
“Pas bisedës që kisha me drejtuesit e klubit, vendosa të rikthehem në Kategorinë Superiore duke qenë se Kukësi është një skuadër që lufton gjithmonë për trofe. Do të mundohem të jap më të mirën time për fanellën e Kukësit dhe shpresoj që të fitoj trofe e të rikthejmë titullin kampion. Forca Kukësi!”, deklaroi Rapo. /abcnews.al