Iggy Azalea ka dalë në mbështetje të Britney Spears, pas akuzave që ngriti ndaj të atit, Jamie lidhur me kujdestarinë ligjore. Këngëtarja kërkoi t’i jepej fund kontrollit të babait mbi jetën dhe financat e saj duke thënë se i ishte shkatërruar jeta. Mes akuzave të shumta, ajo theksoi se kishte marrë ilaçe kundër vullnetit të saj dhe se nuk mund të martohej apo të bënte fëmijë.
Mes shumë personazhesh të famshëm që i kanë dalë në mbrojtje, së fundmi ka qenë dhe reperja e famshme, Iggy Azalea, e cila i ka vënë pikat mbi “i” deklaratave të Spears. Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Azalea pohon se ka parë të njëjtën sjellje që Britney pretendoi në dëshminë e saj në gjykatë javën e kaluar.
“Gjatë kohës që kemi punuar së bashku në vitin 2015, unë personalisht kam parë të njëjtën sjellje që Britney detajoi në lidhje me babanë e saj javën e kaluar dhe thjesht dua ta mbështes atë dhe t’i them botës se: ajo nuk po e ekzagjeron ose gënjen. Unë e pashë atë të kufizuar edhe nga gjërat më të çuditshme dhe të parëndësishme si, sa lëngje u lejua të pinte. Pse është edhe e nevojshme?”“, shkroi Iggy.
Iggy kujtoi gjithashtu momentin kur Jamie kishte detyruar edhe vetë reperen të firmoste një kontratë gjatë një bashkëpunimit të tyre “Pretty Girls”.
“Para shfaqjes sonë kur isha në prapaskenë në dhomën e zhveshjes, babai i saj më tha se nëse nuk nënshkroja një NDA ai nuk do të më lejonte në skenë. Mënyra se si ai po përpiqej të më bindte të firmosja kontratën, më duket shumë e ngjashme me taktikat që Britney tha se ai përdori mbi të në një shfaqje në Las Vegas.”, vazhdoi Azalea./abcnews.al