Kryeministri Rama do të çojë nesër në Presidencë sërish dekretin për emërimin e Sandër LLeshit në detyrën e ministrit të Brendshëm. Teksa bëri këtë deklaratë në studion e emisionit “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, kreu i qeverisë tha se dekretin do ta shoqërojë dhe me një relacion shterues për emrin e propozuar prej tij për ministër të brendshëm. Në këtë mënyrë kreu i shtetit, sipas Ramës, do të mund të krijojë bindjen për ministrin e ri të Brendshëm në 7 ditët e ardhshme, sipas afatit kushtetues. Rama u shpreh i sigurt se në përfundim të këtij afati, presidenti Meta do të dekretojë Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm.
Rama deklaroi gjithashtu se të hënën do të çojë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të interpetuar të drejtën e Presidentit për të rrëzuar emrat e ministrave. Rama tha se kjo kërkesë do të arkivohet dhe do të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, që sipas tij do të jetë funksionale brenda pranverës. /abcnews.al